Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur edhe sot në seancën e Kuvendit rreth rastit të Astrit Deharit, i cili gjeti vdekjen në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016.
Ajo ka thënë se ka urdhëruar një inspektim për të kuptuar se cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave atë ditë, dhe a janë kryer përgjegjësitë e personave sipas legjislacionit.
Haxhiu theksoi se nga zyrtarët e ministrisë i është thënë se kamerat e sigurisë në ditën kritike janë marrë para policisë dhe kjo me urdhër të ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Mes tjerash, Haxhiu thotë se Prokuroria Speciale që tashmë e ka në dorë rastin duhet të hetojë më shumë rreth shkeljeve që kanë bërë personat përgjegjës atë ditë dhe të hetohet përfshirja e ish-ministres Hoxha.
“Kamerat janë marrë para se Policia t’i shihte. Personat duhet të përgjigjen se pse e kanë bërë këtë dhe a është e vërtetë që e ka urdhëruar ish-ministrja Dhurata Hoxha. Kryeinspektori që është suspenduar dje, nuk e pranon që e ka shkruar atë raport, prandaj duhet të vërtetohet se nëse nuk e ka nënshkruar ai, kush e ka falsifikuar nënshkrimin dhe pse. Ka pasur edhe shkelje për ndryshim të deklaratave”, ka thënë ai.
Ministria e Drejtësisë njofton dje se mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.
Në një njoftim për media thuhet se procedura disiplinore ndaj Topallit është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.
“Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.


