26 Korrikut është data e një rëndësie të veçantë për Shtimen dhe më gjerë. Kjo datë na kthen në ditët e lavdishme e të trimërisë së djemve dhe vajzave më të mira të vendit, të sakrificës për lirinë dhe dinjitetin.
Kështu u tha në akademinë përkujtimore kushtuar 26 Korrikut- Ditës së Dëshmorëve të kësaj komune.
“Te gjitha eventet e organizuara na shtojnë krenarinë për djemtë dhe bijave tona dhe sakrifice se tyre për liri. Asnjëherë nuk është shumë të flasim për ngjarjet që na sollën lirinë tonë. E lufta e UÇK-së dhe ushtarëve është me meritorja. Jemi mirënjohës ndaj çdo ushtari për lirinë e popullin tonë. Mbi 40 ushtar të komunës tonë ranë dhe ne si komune do te angazhohemi te punojmë për idealin dhe sakrificën e tyre”, tha Qemajl Aliu, kryetar i Shtimes.
Ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, tha se Shtimja është komuna ku u zhvilluan shume beteja dhe ndodhen shume masakrat sikurse ajo e Reçakut.
“Unë pata nderin të jem komandant dhe isha për krah ushtarëve tashmë dëshmor. Sot jam me ju që t’i nderojmë ata që na bëjnë krenarë dhe të punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen”, tha Shukri Buja.
Ndërsa, Muhamet Bilalli, përfaqësues i Shoqatave të Dala nga Lufta, tha se pas krismave të pushkës se komandantit Adem Jasharit shume nga ne ju bashkëngjitëm.
“Shumë ushtarë ranë që ne të gëzojmë lirinë. Ne si shoqate bashkë me të gjitha institucionet duhet të jemi unik që amaneti i tyre të shkon ku duhet. T’i nderojmë dhe ta gëzojmë lirinë e shteti të ecë përpara”, theksoi Bilalli.
Në ditën e dëshmorëve u mbajtën edhe aktivitete tjera sikurse homazhe dhe vendosja e buqetave me lule, te Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së, në Shtime, Reçak, Mollopolc dhe në Zborc. Vizitë në Muzeun e Qytetit në Shtime dhe dhurim vullnetar i gjakut, organizuar nga të rinjtë e fshatit Rashincë.



