Administrata e presidentit Biden po avancon me planin për shitjen e armëve me vlerë prej qindra milionë dollarësh për Izraelin, njoftojnë mediet amerikane.
Administrata Biden po ecën përpara me një paketë të shitjes së armëve prej 680 milionë dollarësh për Izraelin, ka thënë të mërkurën një zyrtar amerikan i njohur me planin, edhe pse një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA në Liban, mes Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, ka hyrë në fuqi.
Paketa, e cila u raportua për herë të parë nga Financial Times, përfshin mijëra komplete municionesh të përbashkëta të sulmit të drejtpërdrejtë (JDAM) dhe qindra bomba me diametër të vogël, ka thënë një zyrtar në kushte anonimiteti.
Lajmi vjen ende pa u bërë një ditë nga marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah, edhe pse Izraeli ende po lufton armikun tjetër të tij të përhershëm, grupin militant palestinez, Hamas, në Rripin e Gazës.
Paketa pason një shitje prej 20 miliardë dollarësh të aeroplanëve luftarakë dhe pajisjeve të tjera ushtarake në Izrael, të realizuar në gusht.
Kurse Reuters raportoi, në qershor, se Uashingtoni, aleati më i madh dhe furnizuesi i armëve, i ka dërguar Izraelit më shumë se 10,000 bomba shumë shkatërruese dhe mijëra raketa ‘Hellfire’ që nga fillimi i luftës së Gazës, në tetor 2023.
Duke komentuar të martën vonë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, renditi nevojën për të rimbushur rezervat e armëve, si një nga arsyet për armëpushimin. “E them hapur, nuk është sekret që ka pasur vonesa të mëdha në dërgesat e armëve dhe municioneve. Këto vonesa do të zgjidhen së shpejti”, ka thënë Netanyahu.
Paketa e armatimit është rezultat punës disamujore. Ajo u dërgua fillimisht në komitetet e Kongresit Amerikan në shtator dhe më pas u dorëzua për shqyrtim në tetor, ka deklaruar zyrtari amerikan.


