Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e sigurisë, duke theksuar kontributin e tyre në ofrimin e poligonit për kualifikimet me armë të personelit të ambasadës.
Përmes një postimi zyrtar, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se rojet e ambasadës, stafi i sigurisë dhe pjesëtarët e Gardës Detare të SHBA-së, së bashku me oficerët e Policisë së Kosovës që janë të caktuar për mbrojtjen e Ambasadës, kanë zhvilluar trajnim për ruajtjen e aftësive profesionale në përdorimin e armëve.
“Ky trajnim përmirëson përgatitjen për raste emergjente, forcon bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, dhe ndihmon në mbajtjen e sigurisë së Ambasadës dhe të vendeve tona”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë së SHBA-së dhe Kosovës në përpjekje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e ndërsjellë.
