Mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë i pasurisë, vazhdon të dënohet si kundërvatje.
Kështu u shpreh Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në konfernencën ku u prezantua raporti “Mos deklarimi i pasurisë, krim në letër, kundërvajtje në praktikë”.
Ai tha se deri në vitin 2013, mosdeklarimi i pasurisë është trajtuar si kundërvajtje dhe është dënuar më gjobë. Mirëpo nga ky vit e tuje, veprat penale të “Mosdeklarimit të pasurisë dhe “Deklarimit të rremë të pasurisë”, janë inkriminuar si vepër penale.
Përkundër kësaj, Shala tha se IKD ka gjetur se për këto vepra penale ndonëse me procedura të ndryshme, efektet janë të njëjta.
“Ky inkriminim vazhdon në procedura të ndryshme, por me efekte të njëjta. Në asnjë rast askush nuk u dënua me burg, por vetëm me gjobë. Dënime më të ulëta se kur ka qenë si kundërvajtje”, tha Shala.
Kjo sipas tij, është pasojë e moszbatimit të ligjit dhe udhëzuesit të Gjykatës Supreme për praktikën ndëshkimore.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të mërkurën ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën u publikua raporti me titull “Mos deklarimi i pasurisë, krim në letër, kundërvajtje në praktikë”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.


