Banorët e lagjes “Mati 1” në Prishtinë kanë ngritur ualarmin për gjendjen e rënduar mjedisore dhe rrezikun shëndetësor që po u kanoset, për shkak të mënyrës së mbledhjes së mbeturinave nga Kompania Regjionale “Pastrimi” Sh.A.
Përfaqësuesi i banorëve, Dren Shahini, përmes një reagimi publik drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarëve komunalë dhe Inspektoratit të Kryeqytetit, ka theksuar se situata është bërë e papërballueshme, sidomos në ditët e nxehta të verës.
“Që nga rikthimi i kompanisë ‘Pastrimi’ për mbledhjen e mbeturinave në lagje, rrugët tona janë kthyer në burim infeksioni. Mbeturinat që shtypen në kamionët e vjetër rrjedhin nëpër rrugë, duke lënë pas fëlliqësira që në vapë kundërmojnë rëndë, terën dhe kthehen në pluhur që ne e thithim,” ka shkruar Shahini.
Ai ka bërë thirrje për reagim urgjent nga autoritetet lokale dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, duke paralajmëruar pasoja të mundshme për shëndetin e qytetarëve.
“Gjendja është alarmante. Po rrezikohemi me vetëdije,” përfundon reagimi i tij.