Edhe në seancën e sotme nuk u arrit të konstituohet Kuvendi i Kosovës, pasi propozimi për formimin e komisionit zgjedhor, i nevojshëm për organizimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, nuk u miratua.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi subjektet politike të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por që propozimi sërish dështoi.
Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares.
Kjo ishte tentativa e 27-të për konstituimin e Kuvendit.
Seanca u ndërprerë për të vazhduar pas 48 orësh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.