Autoritetet doganore në Serbi thanë se një makinë me targa RKS – Republika e Kosovës – kanë zbuluar dhe kanë parandaluar kontrabandën e një arsenali armësh, që sipas tyre, ishte fshehur në një makinë pasagjerësh.
Sipas një njoftimi, makina në të cilin ishin fshehur armët, u kontrollua nga doganierët serbë në pikëkalimin kufitarë në Merdar.
Sipas doganës serbe, me makinën Audi A8 me targa të Kosovës, po udhëtonin dy pasagjerë nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.
“Ndonëse të dy deklaruan se nuk kishin asgjë për të deklaruar përveç sendeve personale, doganierët vendosën të bëjnë një kontroll të detajuar. Më pas u zbulua një arsenal i vërtetë armësh nën karriget dhe nën kapakët e rrotave: 45 armë zjarri, 31 silenciatorë për armë zjarri dhe 367 fishekë”, u tha në njoftim e Doganës së Serbisë.
Autoritetet serbe thanë se doganierët kanë dorëzuar te policia dy personat që gjendeshin në këtë automjet “dhe kanë njoftuar prokurorin kompetent për veprime të mëtutjeshme”.
Ndryshe, autoritetet e rendit në Kosovë shpesh raportojnë se zbulojnë kontrabandë me armë dhe mallra tjera në zonat kufitare me Serbinë, kryesisht në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe./REL


