Presidenti serb, i cili është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.
Sipas ekspertëve kur bëhet një gatishmëri e tillë e policisë dhe ushtrisë, atëherë është përgatitje e fundit para shpërthimit të një lufte.
Ndërkohë që Serbia vazhdon destruktivitetin e saj karshi Kosovës, duke bërë çmos që të shkaktojë destabilizim me ngritjen e tensioneve me grupet kriminale që i mbështet për të ngritur tash e 19 ditë barrikada në vëri të vendit. Madje Serbia disa herë ka kërcënuar edhe hapur më futjen e ushtrisë në Kosovë.
Përkundër gjithë këtyre zhvillimeve, është deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka dhënë “këshilla” interesante për Qeverinë e Kosovës, duke e sugjeruar që as mos të flas për luftë e konflikt.
“Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka shkruar Hoti në rrjetin social.
Hoti ka shkruar tutje në Facebook të mërkurën në mëngjes katër veprimet që, sipas tij, do ta nxirrnin Kosovën nga kurthi i Serbisë.
“1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë. 2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi. 3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut. 4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq nga e marta në mbrëmje është mbyllur edhe pika kufitare në Merdar pas bllokadës në territorin e Serbisë. Të bllokuara ndërkohë qysh më herët janë edhe Jarinja e Bërnjaku.
Qeveria ka thënë se po pret që KFOR-i të intervenojë për t’i hequr barrikadat. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se heqja e barrikadave është “çështje ditësh”.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Institucionet e Kosovës kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Bandat e dirigjuara nga Beogradi kanë sulmuar si policët e Kosovës, në disa raste edhe ato të KFOR-it dhe EULEX-it.
Sulme kanë pësuar edhe gazetarët e mediave të ndryshme që kanë përcjell zhvillimet në veri.
Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se “bandat kriminale që mbështeten nga Serbia” qëndrojnë pas barrikadave. Qeveria e Kosovës ka thënë se shteti ka kapacitete që t’i heqë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të heqë barrikadat./KosovaNews


