Gjykata e Lartë e Suboticës ia ka zgjatur edhe një muaj masën e paraburgimit, Arbnor Spahiut, ish-zyrtar policor i Kosovës, që ishte arrestuar më 7 qershor nën pretendimin “se ka kryer vrasje në Banjskë më 24 shtator 2023”.
Vazhdimin e paraburgimin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës që ka thënë se po vazhdon përpjekjet për trajtim të drejtë dhe adresim institucional të rastit të Spahiut.
MPJD-ja ka njoftuar se avokati mbrojtës i ka dorëzuar gjykatës edhe dokumentet që konfirmojnë se Spahiu e kishte lënë policinë vite para ngjarjes së Banjskës.
Familjarët e Spahiut pritet që nesër (10 korrik) të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar. Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, sipas MPJD-së, do të paraqesë kërkesë formale për lejimin e vizitës.