Grupe të shumta tifozësh, “Grobari”, “Cigani” etj, kanë vërshuar mbrëmë rrugët e Beogradit me thirrje kundër shqiptarëve, madje duke kërkuar vuajtjen e tyre.
Zonat të cilat janë frekuentuar nga këto grupe, ku disa nga ta ishin edhe të maskuar kanë krijuar tension ndërsa janë parë edhe forca të shtuara policore.
Njëri nga folësit i cili ishte edhe i maskuar u prezantua të jetë serb nga Graçanica.
“Kur të kthehet ushtria (serbe) në Kosovë, secili shqiptar do të vuajë”, është vetëm njëra prej thirrjeve të qindra pjesëtarëve të këtyre grupeve të tifozëve, të cilët kanë brohoritur mbrëmë rrugëve të kryeqytetit të Serbisë për më shumë se 30 minuta.
Nuk dihet nëse forcat policore kanë ndaluar ndonjë person për gjithë këtë shovinizëm.

Ndërkohë edhe djalit të Vuçiqit i ka dalë rendi dhe kërcënuar Kosovën.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq disa herë gjatë ditëve të fundit referuar ngjarjeve në veri ka thënë se “nuk do të ketë dorëzim”.
Rrugës së babait po i shkon edhe i biri, Danilo, “Vuçiqi i vogël”.
Se nuk ka dorëzim, po e thotë edhe djali i tij, i cili është përfshirë në komentimin e zhvillimeve në veri.
“Ekziston njëri që do të dorëzohet, e Zoti e di që e njoh edhe një tjetër që nuk do ta bëjë këtë”, ka shkruar Danilo Vuçiq në Instagram nën një foto ku shfaqet së bashku me babain e tij, Aleksandar Vuçiq, presidentin e Serbisë.
