Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me ish-ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, i cili shkoi në këtë takim si përfaqësues i AAK-së.
Lajmin për e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka. Ai tha se në takimin për vettingun është paraqitur qëndrimi i AAK-së që “këtë proces e konsideron të rëndësishëm dhe i jep përkrahje”.
Mirëpo, AAK është shprehur mosbesuese që vettingu të ketë sukses pa konsensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK-së dhe KPK-së, pa mbështetjen e ShBA-së dhe BE-së dhe pa përfilljen në përpikmëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut.
“Sidoqoftë, AAK nuk ka besim që procesi të ketë sukses pa koncensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK dhe KPK, pa mbështetjen e ShBA dhe BE dhe pa përfilljen në përpikmëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut”, tha Blaka për Express.
Kujtojmë që dje, Kurti ka zhvilluar takim me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi. Në një konferencë për media, Krasniqi tha se procesi i vettingut duhet të zhvillohet përmes kuvendit.
Ndër të tjerash, Krasniqi u shpreh se PDK mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet ne koordinim me partnerët strategjikë, shoqërinë civile dhe palët tjera të interesit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, ka thënë Krasniqi dje.
Ftesën për të folur për vettingun, e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi sipas tyre ata kontributin e tyre do ta japin në Kuvend.
Zëdhënësja, njëherit edhe anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi i tha Expressit se është “e panevojshme” ftesa e kryeministrit, për t’u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme”, tha Halimi të mërkurën./express/