Osmani: Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme

Para popullit të Kosovës, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës janë dhënë mesazhet e liderëve politikë në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë nderime për të rënës e luftës për liri, përfaqësuesit që kontribuuan në shtetndërtim dhe të policëve e ushtarëve. Ajo ka përmendur ushtarët e FSK-së të cilët gjenden në Turqi në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, duke thënë se nuk duhet të harrohet kontributi i shërbyesve të shtetit.
“T’i kujtojmë bijtë e bijat tonë që të rreshtuar në UÇK sakrifikuan jetën në mbrojtje të vendit, komandantin Adem Jasharin që i priu rezistencës për liri, t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që për 15 vjet kontribuuan në këtë vend. Kujtojmë edhe kontributin e ushtarëve e policëve tanë, përfshirë ushtarët e FSK-së që derisa sot ne po festojmë 15 vjetorin e shteti tonë, ata po luftojnë për shpëtimin e jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë”.
Osmani ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Kur ne jemi të shtypur e luftonim për lirinë, kur u çliruam dhe filluam jetën demokratike, ata janë këtu edhe sot, partner të besueshëm e të qëndrueshëm që bashkërisht po e ndërtojmë të ardhmen tonë”.
Presidentja ka deklaruar se karshi Serbisë Kosova është e bashkuar, pavarësisht dallimeve. Ajo ka theksuar se forcat destruktive po provojnë ta cenojnë shtetësinë, por siç ka thënë ajo, përpara Serbisë “jemi një”.
“Sigurisht Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve që e kanë sfiduar kontinentin. Por nuk mund t’i injorojë as kërcënimet ndaj saj që vijnë si rrjedhojë e përpjekjeve për ta minuar shtetësinë tonë. Sot e kësaj dite forcat destruktive provojnë ta cenojnë shtetësinë tonë. Provojnë ta ushtrojnë ndikimin e tyre duke përdorur përpjekjen për ta thyer unitetin tonë historik karshi çështjeve madhore. Por, nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla. Në përballje me Serbinë duhet dhe do të jemi një”.
“Pavarësisht dallimeve në pikëpamje, ide dhe platforma politike spektri politik vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen të minojnë shtetin tonë apo të pengojnë përparimin e tij. Beteja për fuqizim ndërkombëtar, anëtarësim në organizata e rruga drejt integrimit euroatlantik kërkon bashkëveprim të plotë me shtetet mike”.
Duke folur edhe për dialogun, ka thënë se ka vetëm një epilog dhe ajo është njohja reciproke.
“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e kemi thënë të gjithë dhe që e ka thënë edhe presidenti Biden, ajo është njohja reciproke. Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme”.
Begaj: Shqipëria është pranë Kosovës për çdo anëtarësim ndërkombëtar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria është pranë Kosovën për anëtarësimin e saj në NATO dhe OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Begaj ka përshëndetur angazhimin e SHBA-së dhe BE-së për dialogun me Serbinë, duke theksuar nevojën për njohje reciproke mes dy vendeve.
“Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Kosovës në NATO, OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare. Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet dialogun. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as agresioni dhe as s’ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së Kosovës. Angazhim i BE-së dhe SHBA-së është shprehje e qartë e rëndësisë që ka Kosova për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të gjithë rajonit. E kam të rëndësishme ta përshëndes këtë angazhim dhe vijimin e një dialogu të mirëndërtuar, me njohje të ndërsjellë”, ka thënë Begaj.
Ai ka përmendur komandantin legjendar, Adem Jashari, luftën e UÇK-së, dhe presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK-në luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë me sakrificën e tyre për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e një kombi. Kujtojmë sot liderin simbol të forcës së durimit e elokuencës, shqiptarin që çoi përpara që me zgjuarsi, qartësi e qetësinë e pashembullt qoi përpara kauzën e drejt të pavarësisë së Republikës së Kosovës. kujtojmë presidentin Rugova simbol i paqes në Ballkan e Evropë. Ne përfaqësohemi me dy shtet, me dy president, tre kryeministra e tre kryetarë Kuvendi, e shumë ministra e parti politike që kontribuojnë”, ka shtuar ai.
Me intonimin e himnit të Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet për ndër të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë, raporton KosovaNews.
Në këtë seancë po marrin pjesë edhe presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe ai amerikan Jeff Hovenier..
Konjufca: Kurrë s’do ta harrojmë gjenocidin e Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e ti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës që është mbajtur me rastin e 17 Shkurtit, ka theksuar se kjo ditë është pika më e lartë e përpjekjeve të Kosovës për shtetësi.
Ai ka thënë se Kosova asnjëherë s’do ta harrojë gjenocidin e Serbisë.
“Kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin të cilin e bëri Serbia, mbi qytetarët tanë, mbi fëmijët, gratë e pleqtë, mbi popullin tonë”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka thënë se Kosova është shtet i ri por rrënjët i ka të moçme. “Këto rrënjë na mbajnë të lidhur e të bashkuar fort, kështu ecëm përgjatë historisë, e cila për popullin tonë ishte e mbushur me plot rreziqe, kthesa dhe udhëkryqe, në e dimë si rrallëkush çka është vuajtja por edhe sakrifica, trungu i lirisë u ujit me gjakun e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe luftë mbrojtëse, që ishe lufta e domosdoshme e popullit tonë që u kurorëzua me Pavarësinë tonë”, është shprehur Konjufca.
Ai ka thënë se në këtë ditë përkulet para dëshmorëve e martirëve.
“Së pari u përkulemi atyre që dhanë më së shumti, dëshmorëve tanë të pavdekshëm që nuk e kursyen as jetën e tyre për lirinë e popullit tonë, i kujtojmë e i nderojmë, në këtë ditë të rëndësishme, martirët tanë të ndritur që u flijuan ashtu që ne të tjerët të mund të jetojmë, nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, gratë e burrat që u dhunuan e u torturuan, nuk i harrojmë e i falënderojmë të gjithë së bashku ata që mbajtën me mijëra vjet burgje ashtu që fëmijët tanë të rritjen të lirë në tokën e atdheut tonë të çmuar, por mbi të gjitha i përkulemi popullit tonë për qëndresën e tij shekullore”, ka theksuar Konjufca duke shprehur mirënjohje edhe për miqtë ndërkombëtarë, pa ndihmën e të cilëve, sipas tij, Kosova nuk do të ishte këtu ku është.


















