Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë e futjes në grevë veçse kësaj radhe në një mënyrë tjetër.
“Greva e heshtur”, sipas Jasharajt, nënkupton mungesën e vullnetit të mësimdhënësve për shkak të pakënaqësive me Ligjin e Pagave.
Nga ky vit, vlera e koeficientit është ngritur në 110 euro, por që sipas tij nuk mjafton për mësimdhënësit. Ai ka thënë se mësimdhënësit po humbin kohë duke u munduar ta gjejnë fajtorin për situatën aktuale teksa pati kritika edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcim raporton EO.
“‘Grevë të heshtur’ e kam quajtur kur mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë në tërë sektorin publik janë të pakënaqur dhe nuk japin kontributin e duhur. ‘Grevë e heshtur’ në arsim nënkupton kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore dhe hynë në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk gjejnë zgjidhje, kryesisht në rastin konkret kur kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci as që duan të takohen me ne e të dëgjojnë hallet tona. Si rast më konkret i një rreziku për grevë të heshtur është pakënaqësia tejet e madhe, në arsim, polici, zjarrfikës me rastin e koeficientit nga 105 në 110 që është ironike”, ka thënë Jasharaj, duke thënë se paga këtë vit është ngritur vetëm 28 euro.
Jasharaj për Ekonomia Online ka shprehur edhe shqetësimin e largimit të mësimdhënësve nga Kosova, pasi sipas tij trendi i largimit të tyre në Perëndim është i madh dhe numri po rritet çdo ditë.
“Ne nuk kemi shifra të sakta sepse nuk jemi marrë drejtpërdrejt me këtë çështje por në komuna e dinë dhe të iu them se ne kur e morëm numrin prej 300 e që po rriten, kemi pritur që Drejtoria Komunale e Arsimit e MASHTI-it do kenë takime urgjente për të parë çka e pse po ndodh kur dihet se vitet e kaluara numri i atyre që kanë kërkuar pushim pa pagesë ka qenë minimal. Jemi frikësuar shumë nga kjo rritje, pasi mund të kaloj në shprehi, e mund të ndodh që të kemi ikje të vazhdueshme dhe them se mësimdhënësit e Kosovës nëse zgjedhin rrugë të tillë nuk bëjnë mirë. Mirëpo arsye kanë ngase janë të zhgënjyer”, deklaroi Jasharaj.