Bashkimi Evropian ndan shqetësimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ndan BE-ja shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokoj konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.
Thirrja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky që t’i kushtohet vëmendje me të madhe Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij, ka informacione që Rusia po bën plane për një luftë të re, ka nxitur reagime të shumta në rajon nga analistë e politikanë ndërkombëtarë, e po ashtu reagime ka pasur edhe në Kosovë dhe Serbi.
Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.