Rusia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Bashkimin Evropian dhe shpenzimet e saj masive për mbrojtjen tregojnë se Kremlini ka një “plan afatgjatë për agresion afatgjatë”, paralajmëroi të mërkurën shefja e politikës së jashtme të BE-së.
Kaja Kallas tha se Rusia po shkelte hapësirën ajrore të bllokut, duke sulmuar tubacionet e tij, kabllot nënujore dhe rrjetet e energjisë elektrike, dhe duke rekrutuar kriminelë për të kryer sabotime.
BE-ja dhe disa shtete anëtare e kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për kryerjen e fushatave të sabotimit në Perëndim.
Kremlini i ka mohuar fuqimisht akuza të tilla.
Kallas vuri në dukje se Rusia tashmë po shpenzon më shumë për mbrojtje sesa 27 vendet e BE-së së bashku, dhe tha se vendi këtë vit do të investojë më shumë “në mbrojtje sesa kujdesi i saj shëndetësor, arsimi dhe politika sociale së bashku”, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
“Ky është një plan afatgjatë për agresion afatgjatë. Nuk shpenzoni aq shumë për ushtrinë nëse nuk planifikoni ta përdorni atë”, u tha Kallas ligjvënësve të bllokut në Strasburg.
“Evropa është nën sulm dhe kontinenti ynë ndodhet në një botë që po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme”, shtoi ajo.
Duke folur përpara samitit të NATO-s javën e ardhshme në Hagë, Kallas theksoi se çdo vend evropian duhet të mendojë për mbrojtjen.
Në atë samit, NATO do t’u propozojë anëtarëve të aleancës një objektiv të përgjithshëm shpenzimesh ushtarake prej 5% të produktit të brendshëm bruto, nga objektivi aktual prej 2%.
“Fuqia ekonomike kolektive e Evropës është e pakrahasueshme”, tha Kallas. “Nuk besoj se ka ndonjë kërcënim që nuk mund ta kapërcejmë, nëse veprojmë së bashku dhe me aleatët tanë të NATO-s”.