Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të mërkurën se Republika Islamike e Iranit ka dukshëm më “pak kapacitete” dhe se është “akoma e më larg” prodhimit të armëve bërthamore që prej sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj tri bazave bërthamore të vendit persik.
“Rrëshqitjet e inteligjencës janë ndër gjërat më frustruese”, ka thënë Rubio në kundërpërgjigje ndaj raportimit të mëhershëm të CNN-it që vlerësimet e inteligjencës amerikane kanë konkluduar se bombardimet e SHBA-së nuk i kanë shkatërruar elementet kyç të programit bërthamor të Iranit, dhe se thjesht e kanë shtyrë për disa muaj.
“Programi bërthamor i Iranit sot është dobësuar jashtë mase krahasuar me një javë më parë. Është në formë shumë më të keqe sot sesa që ishte para një jave për shkak të veprimeve të SHBA-së dhe për shkak të disa veprimeve të Izraelit”, është shprehur Rubio për Politicon.
Për dallim nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ripërsëriti pretendimet e tij se bombardimet amerikane e kanë “shkatërruar totalisht” programin iranian, Rubio nga ana tjetër ishte më i kujdesshëm në gjuhën e përdorur sa i përket zhvillimeve të fundit.
Kur u pyet rreth shqetësimeve të qytetarëve amerikanë lidhur me përfshirjen e SHBA-së në luftë direkte Iranin, Rubio ka demantuar këto pretendime, tek ka thënë se presidenti Trump “nuk po synon luftë me Iranin”.