Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në një shkrim në llogarinë e tij në facebook, ka kritikuar sistemin gjyqësor në vend. Sipas tij, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, që nga viti 2015 janë në funksionalizim e sipër të sistemit elektronik për menaxhim të lëndëve. Ky sistem do mundësonte transparencë të veprimeve të gjyqtarit/prokurorit.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, që nga viti 2015 janë në funksionalizim e sipër të sistemit elektronik për menaxhim të lëndëve. Ky sistem do mundësonte transparencë të veprimeve të gjyqtarit/prokurorit, që nga pranimi i lëndës deri në nxjerrjen e vendimit final”, ka thënë ai.
Rrustemi ka pyetur ku është transparenca, sa ka bëri gjyqësori deri më tani dhe pse nuk ka llogaridhënie. Sipas tij, nuk duhet të ketë vetëm pavarësi, por edhe llogaridhënie, transparencë dhe efikasitet.
“Sa ka bërë gjyqësori deri tani?
Jo shumë. Ka vendosur lëndët fizike në sistem elektronik. Ende gjyqtarët dhe prokurorët refuzojnë ta përdorin sistemin. E pse të mos refuzojnë? Kështu puna e tyre mbetet e fshehur prej publikut”, ka shkruar ai.
Sipas deputetit, e njëjta ndodh me statistikat. Nuk i japin.
“Statistikat duhet të gjenerohen e të publikohen në kohë reale. Në veçanti duhet pasur qasje Ministria e Drejtësisë që bën politika për sektorin e drejtësisë. Kur kuptohen mangësitë e sistemit, përmirësohen edhe politikat.
Ministria e Drejtësisë hendikepohet qëllimisht nga ana e gjyqësorit. Pretendimet e tyre hipokrite për pavarësi e cila evidentohet gjithkund përveç në vendime, ka humbur çdo kuptim”, thotë deputeti Rrustemi.
“Pavarësi po, por jo pa llogaridhënie, transparencë e efikasitet.
Këshillat kanë marrë përsipër obligimin të sigurojnë qasjen e MD-se në sistemin elektronik të lëndëve. Zotimin për implementimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit e kanë bërë publikisht.
Fshehja e statistikave që reflekton punën, është mungesë e llogaridhënies ndaj publikut. Moskoordinimi me pushtetet tjera, është mungesë e përgjegjësisë ndaj shtetit.
Në ndërkohë, statistikat provojnë t’i gjenerojnë organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile. Ato të cilat sot i fishkëllejnë gjyqësorit.”, thuhet në shkrimin e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”./KosovaNews


