Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e ka kritikuar deputetin e PDK-së, Abelar Tahiti, për të cilin ka thënë se e ka pasë mundësinë për të bërë më shumë për dokumentin e krimeve të luftës, por nuk ka bërë asgjë, prandaj të paktën mos ta kundërshtojë sot.
“Abelard Tahiri ka qenë ministër i Drejtësisë dhe jo që nuk ka bërë asgjë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë, por e ka penguar duke e shndërruar në divizion pa resurse e buxhet”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, ai ka qenë i zënë ose me tendera ose me amnistimin e strukturave paralele, ose me të dyjat. “Ky e ka pasë edhe përgjegjësi edhe e ka pasë mundësinë që t’i dokumentojë shumë kohë më parë, kurse sot në vend se kokulur të mbështeste projektiligjin i cili themelon Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, ai e kundërshtoi dhe votoi kundër që krimet e Serbisë të kryera në Kosovë të hulumtohen e dokumentohen”, ka përfunduar reagimin e tij deputeti Rustemi./ KosovaNews


