Shqetësimet e ngritura nga qytetarët për ngritjen e çmimeve të shportës bazike, përfshirë edhe çmimin e bukës, kanë bërë që Autoriteti i Konkurrencës të dal në terren për të monitoruar situatën. Ky autoritet, aktualisht po zhvillon analizë të thelluar mbi 20 produkte bazë për të analizuar arsyet e ngritjes së çmimeve në tregun e Kosovës.
Gjithashtu, kanë thënë se ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën.
“Autoriteti nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Nga ky Autoritet nën vëzhgim është edhe sektori i gastronomisë.
“Me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut. Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet tutje në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Kanë thënë se bazuar në ligj mund të ndërmarrin masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun.
“Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme. Autoriteti mbetet i përkushtuar për të mbrojtur konkurrencën, konsumatorin dhe funksionimin e drejtë të tregut”, bëhet e ditur aty.