Prishtinë, 11 shtator 2025 – Një pemë është rrëzuar sot në afërsi të objektit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke shkaktuar dëme të vogla materiale dhe duke mbyllur përkohësisht rrugën.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, tha se rrëzimi i pemës ndodhi si pasojë e motit të lig dhe se për fat të mirë nuk ka pasur persona të lënduar.

“Si pasojë e motit të lig, para një ore është rrëzuar ky dru që po e shihni. Dëmet materiale janë shumë të vogla, një veturë është dëmtuar vetëm pak. Zjarrfikësit e kanë kryer punën e tyre, ndërsa ekipet tjera do të merren me pastrimin dhe largimin e shtyllës. Rruga për sot do të mbetet e mbyllur”, tha Fushtica.
Ai shtoi se pema ka qenë rrezik për kalimtarët dhe theksoi se fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz. “Ne kryejmë inspektime të drunjve në qytet dhe vendosim se cilët prej tyre duhet të largohen,” theksoi ai.


