Rrezik i përhapjes së fruthit në shkolla dhe në kopshte Kosovë. IKSHP kërkon vaksinimin e fëmijëve.
Fëmijët prej moshës 2 muaj e deri në moshën gjashtë vjet duhet ta kenë të plotësuar kalendarin e vaksinimit për këtë grupmoshë dhe të pajisen me vërtetimin e vaksinave.
Dr. Fetije Fetaj, drejtoreshë e vaksinimit në IKSHP, thekson nevojën urgjente që secili fëmijë që mund të jetë regjistruar në klasë të parë, apo në kopshte e çerdhe, të vaksinohet, sepse kërkohet kohë që organizmi të krijojë imunitetin e nevojshëm. Janë 50 raste me fruth në Kosovë dhe përhapja e kësaj sëmundje është shumë e shpejt, tha Dr. Fetaj për Radio Kosovën.
Intervista e plotë:
Dr. Fetaj, IKSHP ka kërkuar që fëmijët të vaksinohen para së të fillojë mësimi me 1 shtator, a ka ndonjë rrezik për ta?
Fetaj: Është jetike që fëmijët të jenë të mbrojtur nga sëmundjet ngjitëse para se të hyjnë në objekte kolektive, siç janë shkollat, kopshtet apo çerdhet, sepse pothuajse të gjithë e kanë obligimin e njejtë. Vaksinat janë të sigurta, dhe është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët, por edhe për të ndaluar sëmundjet për fëmijët të tjerë, të cilat mbrohen nga vaksinat.
Ju i keni listat e fëmijëve, sipas moshave. A ka fëmijë që nuk kanë marrë vaksina në oraret e caktuara?
Fetaj: Si IKSHP kemi vënë re se disa prindër, për arsye të ndryshme, kanë shtyrë orarin e vaksinimit, dmth jo të gjitha vaksiat jepen në kohë të caktuar, siç janë paraparë në kalendarin e vaksinimit. Kjo rrezikon fëmijët shumë. Dihet se janë 13 sëmundje që kërcënojnë fëmijët, nëse nuk mbrohen me këto vaksina me kohë. Ne vetëm se kemi raste me fruth në Kosovë dhe kjo paraqet rrezik të madh që me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët që nuk janë vaksinuar mund të sëmurën dhe të kemi pastaj përhapje më të madhe të fruthit.
Cilat mosha do ta marrin në mënyrë të organizuar në shkolla?
Fetaj: Dy vitet e fundit e kemi bërë një ndryshim. Deri atëherë të gjithë fëmijët e klasës së parë, të klasës së gjashtë dhe të dymbëdhjetë i kemi vaksinuar në shkolla, por duke parë situatën epidemiologjike të sëmundjeve të tjera dhe vaksinat si mundësi parandaluese, bashkë me Ministrinë e Shendetësisë kemi vendosur që fëmijët që regjistrohen në klasë të parë, para regjistrimit në klasë të parë, të vaksinohen me vaksinat për këtë grupmoshë dhe dokumentin e vaksinimit ta kenë në dosjen e dokumenteve që regjistrohet në klasë të parë. E kemi fruthin edhe në rajon dhe kjo vaksinë merret në moshën 12 muaj që fatkeqësisht prindërit po e shtyjnë dhe është rrezik për fëmijët e tyre por edhe për klasën dhe për grupin e fëmijëve që janë në çerdhe apo në kopsht. Doza e dytë jepet në klasën e parë. Për këtë arsye është bërë ky ndryshim, që fëmijët para se të shkojnë në klasë të parë apo në kopshte duhet të vaksinohen.
Pra, ata duhet të kenë një dokument verifikues që janë vaksinuar për t’u regjistruar?
Fetaj: Është një vërtetim unik në gjithë Kosovën ku shkruhet nga mjeku në njësinë e vaksinimit që fëmija është i vaksinuar në bazë të moshës dhe ky vërtetim iu shërben edhe për regjistrim në shkollë dhe në kopshte.
Ju e keni ngritur me institucionet arsimore, apo jo?
Fetaj: Po. Me të gjitha institucionet, me Ministrinë e Arsimit, me DKA-të.
Dr. Fetaj, a keni informacion sa prej fëmijëve tashmë e kanë marrë këtë vaksinë, sepse ata me 1 shtator duhet të fillojnë mësimin?
Dr. Fetije Fetaj: Secila Qendër e Mjekësisë Familjare, saktësisht e ka numrin e fëmijëve, sepse ne e marrim numrin e fëmijëve nga shkollat dhe komunat, numrin e fëmijëve që duhet të marrin vaksinat në klasë të parë. Në këtë numër i nxjerrim ata të vaksinuar dhe ata që nuk vaksinohen. Dhe ekipet e vaksinimit i kontaktojnë prindërit veç e veç për të plotësuar kalendarin e vaksinimit për fëmijët e tyre. Këto ekipe kanë të dhëna edhe nga shkolla dhe me 1 shtator e përsërsin këtë thirrje. Për këtë arsye ky njoftim që është bërë nga IKSHP e ka këtë qëllim, sepse kemi informacione se shumë fëmijë janë regjistruar në klasë të parë edhe pa u vaksinuar. Është edhe çështje obligative sipas ligjeve në Kosovë, sepse duhet të vaksinohen fëmijët dhe të pajisen me këtë vërtetim, para se të fillojnë mësimin.
Mësimi fillon edhe pak ditë dhe nuk është vonë për t’u vaksinuar ata fëmijë, të cilët nuk e kanë marrë vaksinën deri tash, apo jo?
Fetaj: Jo nuk është vonë, sepse vaksinat mund të jipen edhe nëse ka kaluar një periudhë për arsye të caktuara. Por, prindërit duhet të dinë se organizimit i duhet deri në dy javë kohë, pasi fëmija të marrë vaksinën, që të krijojë imunitet. Prandaj, sa më shpejt që vaksinohen fëmijët aq më të mbrojtur do të jenë. Ka rrezik tani, sepse pas kthimit nga pushimet dhe kontaktet edhe në shtete të tjera, mund të shkaktojnë raste të infeksioneve.
Dr. Fetaj, ju e theksuar disa herë çështjen e fruthit, a është në shkallë të shqetësimit të madh fruthi në vendin tonë?
Fetaj: Fruthi është njëra ndër sëmundjet që përhapet më së shpejti. E vaksina është shumë efektive.
Fëmijët që marrin vaksinën dhe dozën e parë, nuk sëmurët prej fruthit. Duke qenë se është një sëmundje mjaft kontagioze, kemi pasur raste te disa fëmijë në kopshte e çerdhe, që prej muajit maj. Në një çerdhe psh. prej 100 fëmijëve, 3 kanë qenë të pavaksinuar, ata të tre janë sëmurë nga fruthi. Aq është sëmundje kontagioze që faktikisht e prek çdo fëmijë të pavaksinuar. Për këtë arsye prej muajit maj deri tani i kemi 50 raste me fruth dhe numri më i madh i rasteve ka qenë 1-2 vjet, këtë kohë që prindërit po i shtyjnë, ata po rrezikojnë fëmijët e tyre dhe fëmijët e të tjerëve. Pikërisht ky është shqetësimi më i madh, sepse virusin e kemi në vendin tonë, është në qarkullim dhe në shkolla e në kopshte rrezikojmë shumë nëse nuk janë fëmijët të gjithë të vaksinuar.
Pra, kalendarin duhet ta verifikojnë fëmijët që janë në kopshte, në çerdhe dhe në klasën e gjashtë?
Fetaj: Prej dy muaj deri në 6 vjet verifikohet lista e vaksinave në qendrat e mjekësisë familjare dhe fëmija pajiste me vërtetim, sepse do të ketë inspektorë në institucionet arsimore dhe do të ketë probleme të tjera, sepse vaksinimi është obligativ. Këtë masë e kemi ngritur para se të fillojë viti i ri shkollor dhe ata fëmijë që tashmë janë të regjistruar duhet të jenë të vaksinuar.


