Ylli i futbollit portugez, Cristiano Ronaldo, ka shprehur dhimbje pas vdekjes tragjike të bashkëlojtarit të tij në Kombëtaren e Portugalisë, Diogo Jota.
Futbollisti njëzet e tetë vjeç i Liverpoll dhe vëllai i tij më i vogël, Andre, kanë humbur jetën të enjten pas mesnate në një aksident të rëndë trafiku në Spanjë. Sipas autoriteteve, vetura me të cilën po udhëtonin doli nga rruga duke shpërthyer në flakë.
“Sapo ishim bashkë me kombëtaren, sapo kishim fituar Ligën e Kombeve muajin e kaluar dhe ti sapo ishe martuar. Familjes tënde, bashkëshortes dhe fëmijëve të tu u dërgoj ngushëllimet më të sinqerta. E di që do të jesh gjithmonë me ta. Pushoni në paqe, Diogo dhe Andre. Do të na mungoni shumë”, ka shkruar Ronaldo në rrjetin social X.