Robert Lewandowski e ka akuzuar trajnerin e ekipit kombëtar të Polonisë se e ka “tradhtuar” pasi iu hoq shiriti i kapitenit, ndërsa shpjegoi arsyen pse është larguar nga ekipi kombëtar.
Trajneri Michal Probierz mori vendimin për të zëvendësuar sulmuesin si kapiten i ekipit kombëtar me Piotr Zielinski.
“Trajneri e informoi personalisht Robert Lewandowskin, të gjithë ekipin dhe stafin stërvitor për vendimin e tij”, ishte reagimi i Federatës Polake të Futbollit.
Lewandowski u përgjigj në rrjetet sociale brenda 39 minutash, duke deklaruar se nuk do të luante më nën drejtimin e Probierz.
“Duke marrë parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit tek trajneri i kombëtares polake, kam vendosur të tërhiqem nga të luajturit për ekipin kombëtar polak për sa kohë që ai mbetet trajner”, potencoi Lewandowski.
Lewandowski që atëherë ka folur më gjerësisht rreth vendimit të tij për t’u larguar nga ekipi kombëtar në një intervistë me gazetën polake Sportowefakty.
“Mora një telefonatë surprizë nga trajneri Michał Probierz me informacionin se kishte vendosur të më hiqte shiritin e krahut, nuk isha aspak i përgatitur për këtë, po i vija fëmijët e mi në gjumë”, deklaroi ai.
“Nuk pata kohë as të informoja familjen time ose të flisja me askënd për atë që kishte ndodhur, sepse pak çaste më vonë një mesazh u shfaq në faqen e internetit të PZPN”.
“Mënyra se si më është komunikuar është vërtet e habitshme për mua. Më është dukur se çështje të tilla duhet të trajtohen ndryshe”.