Shqipëria ka kërkuar zyrtarisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që të hartojë një raport të ri në të cilin ata të shqyrtojnë akuzat sipas Tiranës zyrtare të pabazuara tashmë për tregti të paligjshme të organeve njerëzore.
Misioni i Shqipërisë në Këshillin e Evropës në notën verbale që mban datën 10 Gusht e informon organizatën se parlamenti shqiptar miratoi më 21 Korrik 2022, rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.
Sipas palës shqiptare së pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e Dick-ut mbeten të paprovuara.
“Misioni i Shqipërisë në Këshillin e Evropës ka nderin t`ju informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 Korrik 2022, Rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë pretendimet e bëra në Raportin Dick Marty për vrasjen e njerëzve me qëllim mbledhjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së (2011), pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Po ashtu në notën verbale të misionit të Shqipërisë në KiE të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka premtuar se do të shkojë edhe vetë personalisht në selinë e Këshillit të Evropës në Strasbourg më 10-14 tetor në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KiE për të rrezuar rezolutën e miratuar në Janar të vitit 2011 nga kjo organizatë për trafikun e jashtëligjshëm të organeve që sipas Dick Marty u bë me dijeninë e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Kuvendi i Shqipërisë më 21 korrik të këtij viti e ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.
Raporti, i hartuar nga Dick Marty, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para të cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë.
Raporti i Martyt, i cili u miratua me një rezolutë nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat.
Megjithatë, pretendimet e Martyt nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Evropës, ndërkohë që së fundmi Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij.


