Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e avokatëve për lirim e infermiereve A.P., A.R dhe R.K, nga masa e paraburgimit, që po akuzohen për ushtrim të dhunës ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Lajmi është konfirmuar edhe përmes një dokumente që është publikuar në media e që mban vulën e Gjykatës së Apelit.
Ndryshe, më 3 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Pejë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të pandehurave A.P, A.R dhe R.K, të cilat dyshohen për sulm ndaj një gruaje të moshuar.
Pas këtij rasti, katër infermiereve Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka hequr licencat e punës.
Kurse, qendrës “Orenda” iu revokua licenca pas inspektimit që i ka bërë asaj qendre Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale.
Arrestimi i katër të dyshuarave erdhi pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku shihej se si një e moshuar keqtrajtohej. Rasti në fjalë kishte nxitur reagime të shumta në publik.


