Real Madridi po vazhdon kontaktet për të siguruar shërbimet e mesfushorit argjentinas Enzo Fernandez, një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar veror.
Mesfushori i Chelseat shihet nga “Los Blancos” si profili ideal për të kontrolluar ndeshjet nga qendra e fushës, një cilësi që ata e vlerësojnë thellësisht.
Enzo Fernandez, 24 vjeç, kishte qenë në radarin e Real Madridit që në kohën kur luante për River Platen, ndërsa edhe pas kalimit te Benfica, skautët madrilenë e ndoqën nga afër.

Megjithatë, ishte Chelsea ai që veproi me shpejtësi, duke shpenzuar plot 121 milionë euro për ta transferuar në “Stamford Bridge”.
Forma e Fernandezit në Angli ka qenë e alternuar, por kjo nuk i ka zbehur aspak interesimin nga Madridi. Sipas gazetarit Simon Phillips (“Talk Chelsea”), drejtuesit e Real Madridit kanë qëndruar në kontakt me Chelsean për situatën e lojtarit, por përgjigjet që marrin janë simbolike – një emoji me çantë parash – duke nënkuptuar se çdo ofertë do të duhet të jetë tejet e majme për ta bindur klubin londinez.
Chelsea nuk ka asnjë plan për ta shitur mesfushorin, përveç nëse në tryezë vjen një propozim që kalon edhe shifrën rekord të transferimit të Jude Bellingham te Real Madridi (që mund të arrijë deri në 135 milionë euro me bonuse).
Aktualisht, nuk flitet për shumë alternativa të mundshme në mesfushë për Real Madridin, gjë që tregon se ata janë përqendruar fort te Fernandez. Një emër tjetër që është lakuar është ai i mesfushorit të Stuttgartit, Angelo Stiller, por ai duket më shumë si një plan rezervë sesa objektiv real për momentin.