“Në komisionin ad hoc për intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së u degradua çdo vlerë e minimumit moral e professional”, kështu u shpreh deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e këtij komisioni.
Ai ka kritikuar ish-kryetarin e komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe deputetin e LDK-së Armend Zemaj, duke thënë se kur këta të fundit bëhen bashkë me PDK, s’ka tjetër veç degradim e stërkeqje.
Isaku tha se Veliu dhe Zemaj dhanë vlerësim skandaloz duke ‘goditur’ kandidatët me nga 4 pikë nga 100 të mundshme duke abstraguar faktin që në rubrikën për vlerësimin e shkollimit dhe përvojës nga 30 pikë të mundshme kanë poentuar kandidatët me doktoraturë me nga 1 pikë vlerësuese.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Besim Muzaqi i cili u shpreh se deputetët opozitar po përdorin “marifetet” e tyre duke i nënvlerësuar kandidatët në bazë të pikëve duke mos përfillur rregullat e vlerësimit duke mos ua njohur as shkollimin dhe përvojën e punës.
Deputeti i LVV-së shtoi se krejt kjo maskaradë e opozitës vetëm për të dëmtuar mesataren e kandidatëve meritorë dhe për të penguar sukseset e transmetuesit publik RTK-së në këtë fazë kur ato suksese veç po dalin në shesh. Nuk kalon kjo sikundër që nuk kthehet anarkia në RTK, ka thënë Muzaqi.


