Reagime të shumta janë bërë pasi ish- policit serb, Dejan Pantiq, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri, i është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar sot se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është ndryshuar masa e sigurisë.
“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, kanë thënë në arsyetimin e saj gjykata.
E deri sa më parë është bërë publik emrin i gjyqtarit Mentor Bajraktari që miratoi vendimin e prokurorit që të zbutet masa e paraburgimit në arrest shtëpiak, tani është bërë i ditur emri i prokurorit që ka bërë një kërkesë të tillë.
Është avokati Tomë Gashi, i cili tha se është prokurori Afrim Shefkiu që ka rastin për terrorizëm ndaj Dejan Pantiqit.
“Në të dyja rastet prokurori i njëjtë, zotëri Afrim Shefkiu. Rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe rastin për terrorizëm të Dejan Pantiqit. Terroristët serbë i lirojnë, vrasjen e Astrit Deharit s’e hetojnë. Kjo është drejtësia jonë”, ka shkruar në reagimin e tij avokati Gashi.
Pantiq akuzohet për sulm terrorist, nën dyshimet se kishte sulmuar zyrat e KQZ-së në veri të Mitrovicës.
Por ky dyshim nuk ia ka mbushur mendjen prokurorit dhe gjykatësit që të mbajnë në paraburgim dhe morën masë lehtësuese ndaj ish- policit serb.
Kryeministri i Republikës së Kosovës në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për lirimin e Dejan Pantiq në masën e arrestit shtëpiak.
Kurti ka shfaqur mospajtimin e tij me një vendim të tillë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke thënë se do të ishte shumë kureshtar ta dinte se kush është prokurori që ka kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak e cili është gjyqtari që e ka aprovuar meqë Dejan Pantiq akuzohet për terrorizëm.
“Mirëpo kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak.. , unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që kërkon arrest shtëpiak e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Kohë më parë Xhemile e Avni Dehari , prindërit e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, kanë kërkuar që prokurori përgjegjës në hetimet e vdekjes së Astrit Deharit të largohet nga pozicioni i tij ngase të njëjtit, besojnë se prokurori Shefkiu ka neglizhuar çështjen.
Në një konferencë për media, e ëma e të ndjerit, Xhemilja ka thënë se kanë kërkuar zëvendësimin e prokurorit aktual në drejtimin e hetimeve të çështjes së Astrit Deharit, Afrim Shefkiu, duke qenë se nga ai nuk kishin marrë asnjëherë përgjigje në pyetjet e tyre.
“Për 4 vjet, 4 fjalë nuk i kemi prej tij. Kemi biseduar me të, nuk na ka ofruar kurrfarë sqarimi, nuk jemi armiq, jemi njerëz që duam të zgjedhim rastin që ka ndodhur në dyert e tyre”, ka thënë e ëma e të ndjerit.


