Gjithsej 15 raste të shtënies me armë zjarri në Kosovë janë regjistruar në ditën e parë të 2023-s. Policia e Kosovës njoftoi se në Prishtinë, nëpër rrugë të ndryshme, janë regjistruar 8 raste të gjuajtjes me armë.
Në rrugën “Shkelzeni” në Hajvali, një person ka raportuar se është goditur nga një plumb, derisa po qëndronte në ballkonin e shtëpisë. Viktima po trajtohet në QKUK, derisa janë nisur hetime mbi rastin.
Në rrugët “Xheladin Hana”, “Zhan Zhak Ruso”, “Mehmet Akif Ersoy”, “Marie Shllaku” dhe në “Bekim Fehmiu”, janë raportuar pesë vetura të dëmtuara nga gjuajtjet me armë, derisa ndaj rasteve është iniciuar hetim policor.
Në rrugën “Mehmet Shpendi” është dëmtuar një shtëpi nga të shtënat, derisa nuk është regjistrua ndonjë i lënduar.
Policia bëri të ditur se në rrugën “Ilir Konushevci”, pas disa të shtënave me armë zjarri, janë gjetur 36 copë gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
Tutje, në Pejë dhe në Deçan janë dëmtuar tri vetura nga të shtënat me armë, derisa nuk është regjistruar ndonjë i lënduar.
Policia e Kosovës i ka regjistruar edhe dy raste të shtënies me armë në Gjilan. Në njërin rast është dëmtuar vetura e një personi, ndërsa në rastin tjetër është goditur dritarja e një shtëpie.
“Dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga një automjet në lëvizje. Nuk raportohet për të lënduar, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin policor.
Në Prizren, një person është ankuar se një plumb e ka goditur dhe dëmtuar veturën e tij, ndërsa në Gjakovë janë sekuestruar 68 copë gëzhoja të kalibrit 9 mm.


