Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Reforma në Drejtësi erdhi si vullneti i forcës që sot qeveris Shqipërinë.
I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp në Kryeministri për konfliktin e interesit të gjyqtares Ilirjana Olldashi me Jamarbër Malltezin, Rama nuk preferoi ta komentonte.
“Nuk dua të bëj një koment specifik, por dua të them diçka tjetër. SPAK-u dhe Gjykata janë institucione të reja dhe kanë lindur nga një vullnet shumë i madh, shumë i fortë politik që çoi në miratimin e Reformës në Drejtësi, që krijoi një mbështetje shumë të fortë ndërkombëtare për këtë. Se shumëkush thotë: SPAK-u erdhi nga Amerika. Po Amerika ishte këtu që në 91-shin. Dhe sikur SPAK-u të ishte një produkt që sillej me avion do e kishin sjellë dhe përpara, se avionët i kanë pasur dhe në 91-shin amerikanët.
SPAK-u, Gjykata Speciale dhe gjithë Reforma në Drejtësi erdhën vetëm nga një gjë, vullneti i kësaj force që sot qeveris Shqipërinë prej një dekade. Vetëm nga kjo. Po të mos ishte kjo të gjitha të tjerat nuk do të mjaftonin për ta sjellë në jetë SPAK-un dhe Gjykatën Speciale dhe gjërat e tjera që do të pasojnë, sepse Reforma në Drejtësi është shumë më tepër se kaq”, theksoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se, “jo vetëm vullneti për miratimin e reformës, por edhe pjesa tjetër, vullneti për të mos u përzierë në këtë proces, është sot e gjithë ditën i pranishëm si garanci për ecurinë e reformës. Dhe kjo nuk do të thotë aspak që ne nuk shohim, nuk dëgjojmë, nuk diskutojmë brenda nesh. Nuk analizojmë”.
Ashtu sikundër, shtoi Rama, “kjo nuk do të thotë që ne miratojmë çdo gjë që ndodh, miratojmë në kuptimin e opinionit. Por, vendimi që gjithçka që është veprim, apo që hyn në sferën e kompentencave të SPAK-ut dhe të Gjykatës Speciale, të mos komentohet, është i domosdoshëm për t’i dhënë atyre institucioneve mundësinë e një frymëmarrjeje sa më të lirë, një frymëmarrje që tentohet të pengohet nga të tjerë aktorë dhe të tjerë faktorë. Por në rast se do të ishte dhe pushteti ekzekutiv një faktor në pengimin e kësaj frymëmarrjeje, me ose pa dashje kjo do të ishte shumë negative”.
“Në rastin konkret të them të drejtën është diçka që mund t’i duket si çudi shumëkujt, por unë e shoh në aspektin e nevojës dhe të dëshirës dhe të domoshmërisë që këto institucione të mos cenohen nga askush. Dhe kur ndodh që institucioni mund të cenohet dhe sidomos në aspektin e integritetit, nuk më vjen mirë fare. Por më shumë se kaq, nuk kam se çfarë të komentoj”, tha Rama.
Sigurisht, shtoi Rama, “ne kemi nevojë për kohë dhe për të kuptuar deri në fund se çfarë nuk shkon, pse nuk shkon, si nuk shkon”.
Ndërkohë, u shpreh Rama, “ajo që bën SPAK-u, me mbështetjen e Gjykatës Speciale nuk diskutohet, është historike. Po ka gjëra historike që kthehen pastaj në diçka që s’është më historike, sepse është e konsoliduar. Por ka gjëra historike që ndodhin si një ngjarje historike dhe pastaj gjërat kthehen nga e para”.
“Unë jam këtu me gjithë këtë dëshirën dhe me gjithë vullnetin tim që kjo histori që ka filluar të mos kthehet kurrë mbrapa. Kjo është kryesorja. Pastaj kostot, gabimet, ekzagjerimet etj., janë pjesë e procesit. Nuk kemi asnjë mundësi të pretendojmë perfeksion, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një krijesë kaq të re”, theksoi kryeministri Rama/atsh


