Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në “Samitin Ndërkombëtar të Qyteteve Evropiane dhe Arabe”, ku Prishtina është prezantuar si një model për reformim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Ishte një kënaqësi e veçantë të pritesha nga Princi Dr. Faisal bin Abdulaziz bin Ayyaf, princ i Riadit – një arkitekt me formim akademik nga Harvard University, i cili sot udhëheq me vizion zhvillimin jo vetëm të Riadit, por edhe të ndërveprimit për vizion urban të 120 qyteteve të tjera në mbarë botën,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se Prishtina është shfaqur si një qytet “jashtëzakonisht inspirues dhe model për reformim”.
“Jam veçanërisht i lumtur që Prishtina po perceptohet gjithnjë e më shumë si një model për qasjen e re në konceptualizimin e qyteteve të zhvilluara, me një imazh gjithnjë më pozitiv në kulturë, art dhe – tashmë – edhe në diplomacinë urbane,” u shpreh kryetari.
Sipas Ramës, përfshirja e Prishtinës në platforma të tilla ndërkombëtare është dëshmi e rritjes së rolit të kryeqytetit në hartën globale.
“Po pozicionohemi qartë në hartën globale si një aktor i rëndësishëm, dhe kjo është një arritje që na nderon,” tha ai.
Rama shtoi se bashkëpunimet ndërkombëtare kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përfitimet për qytetarët.
“Bashkëpunimet ndërkombëtare jo vetëm që e zgjerojnë vizionin tonë, por gjithashtu sigurojnë që qytetarët e kryeqytetit të kenë qasje më të madhe në zhvillim, hapje dhe ndërkombëtarizim – ashtu siç e meritojnë”, përfundoi ai.
