Vazhdon përplasja mes Ramës dhe Muratit për projektin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati për sheshin “Xhorxh Bush”.
Murati ka deklaruar se tenderimi dhe nënshkrimi i kontratës prej 18 milionë eurosh për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” është bërë pa pasur buxhet të ndarë, duke thënë se një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, Rama e ka akuzuar Muratin për bllokim të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025, duke pretenduar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët e Prishtinës.
“Hekuran, duke qenë se prapë iu paske bashkuar shokëve të partisë në aksionin për ‘bllokim’, ju lutem gjeni pak kohë të shikoni emailin që ju kemi dërguar, dy ditë më parë! Për herë të dytë, ta kemi dërguar kërkesën urgjente për alokimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025, të miratuar nga Asambleja e Kryeqytetit, e që ti vazhdon ta bllokosh”.
Por sipas Muratit pas tenderit, kontrata u nënshkrua sivjet, “që përbën shkeljen e radhës sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”.
“Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e Sheshit Xhorxh Bush, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, futja në obligime financiare pa mbulesë përbën shkelje të ligjit për financa publike dhe të ligjit për prokurim publik.
“Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore”, ka përfunduar Murati.