Ceremonia e hapjes së bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë, do të nisë me fluturimin e parë të dronëve “Bayraktar”.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama, me anë të një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shihet duke u bërë montimi i këtyre tre dronëve që ushtria e Shqipërisë i pranoi para tre ditësh.
“Me disa momente nga montimi i dronëve Bayraktar, që do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama krah videos.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pati thënë se marrëveshja për dronët është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë. Ai ka njoftuar se këta aeroplanë ushtarakë do të përdoren si për misione ushtarake, edhe për ato policore dhe civile.
“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, ka thënë Rama.
Të hënën do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë. Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga Qeveria e Shqipërisë.


