Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka rikujtuar qytetarët se hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në hapësirat publike është e ndaluar. Ai ka theksuar se çdo automjet që bart mbeturina pa kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti.
Ai ka bërë të ditur se Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë angazhuar me të gjitha kapacitetet për të parandaluar hedhjen ilegale të mbeturinave.
Masat ndëshkuese përfshijnë gjoba dhe konfiskim të automjeteve të përdorura për transportimin dhe hedhjen e paligjshme të mbeturinave.
Qytetarët janë thirrur të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të hedhjes së mbeturinave ndërtimore, sanitare, mobiljeve, gomave, xhamave apo materiale të tjera voluminoze.
“Bashkëpunimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm. Nëse shihni qytetarë ose biznese që hedhin materiale ndërtimore, sanitari, mobilje, goma, xhama apo çfarëdo mbeturinash të natyrës vëllimore dhe ndërtimore në Kryeqytet, ju lutemi ta lajmëroni Policinë ose Inspekcionin e Komunës në 038 220985”, thuhet në postimin e kryetarit të Prishtinës.


