Lotët e gëzimit i kanë mbërthyer qytetarët me rastin e nisjes së punës nga makineritë e rëndë për ndërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve në vendlindjen e tyre pas 24 vitesh.
Nisma e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Veriut mori mbështetje dhe u votua nga Qeveria e Kosovës ditë më parë për ndërtimin e 21 shtëpive në veri dhe renovimin e 4 sosh.
E tashmë ka nisur puna dhe makineritë e rëndë po punojnë për rregullimin e hapësirës për nisjen e ndërtimeve.
Në këtë rast ka dalë në teren edhe kryetari i Komunës së Veriut, Erden Atiq, ku shihet duke uruar qytetarët për nisjen e punimeve.
Videon e shkurtë e ka publikuar në rrjetin social zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, e ku qytetarët shihet se janë në lot gëzimi për nisjen e punimeve.
Para dy javësh ishte ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu që dha lajmin e mire se tashmë ka marrë rrugën e duhur ndërtimi dhe renovimi i shtëpive në veri të Kosovës.
Aliu ka thënë se janë marrë të gjithë hapat për fillimin e ndërtimit të dhjetë shtëpive në veri të Kosovës dhe ka treguar se ishte takuar në zyrën e kryetarit Erden Atiq me kryefamiljarët, përkatësisht përfituesit e shtëpive.
Ministri Aliu ka thënë se bashkë me ta kanë vizituar edhe lokacionet ku do të ndërtohen shtëpitë.
Ndërtimi dhe renovimi i shtëpive në veri, Aliu ka njoftuar se ka qenë i ndarë në tri pjesë, në LOT 1 përfshihet ndërtimi i 10 shtëpive, në LOT 2 ndërtimi i 11 shtëpive dhe në LOT3 renovimi i 4 shtëpive.
Aliu ka thënë se shumë shpejt do të përfundojnë procedurat edhe për ndërtimin e 11 shtëpive të tjera dhe renovimin e 4 prej tyre, në mënyrë që të përfundojë i gjithë projekti sa më parë.


