Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 137 raste të konfirmuara me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja
Sipas IKShPK-së, numri më i lartë i rasteve është raportuar në Prishtinë, me 47 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 34 raste, Ferizaj me 12, Obiliqi me tetë, Kaçaniku me shtatë dhe Lipjani me shtatë raste.
Në Skenderaj, Vushtrri dhe Drenas janë raportuar nga tre raste, ndërsa në Gjilan, Shtime, Shtërpcë dhe Deçan nga dy raste. Nga një rast është raportuar në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
IKShPK ka bërë të ditur se gjatë javës së fundit ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit kanë intensifikuar aktivitetet e vaksinimit.
“Gjatë javës së fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast kanë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Instituti ka rekomanduar që çdo person që shfaq simptoma të dyshimta të fruthit, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
“IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet në postim.
Duke marrë parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit dhe rrezikun e përhapjes së tij në komunitet, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë që ata të vaksinohen sipas kalendarit të rregullt.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare”, thuhet në njoftim.
IKShPK ka theksuar se vaksinimi vazhdon të jetë masa kryesore për parandalimin e fruthit dhe për kufizimin e përhapjes së sëmundjes.
“Vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, uljen e përhapjes së sëmundjes në komunitet dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, ka njoftuar IKShPK.

