Qeveria e Kosovës ka demantuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka deklaruar se kryeministri, Albin Kurti “do të dërgojë në veri njësitë elitare policore”.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se këto deklarata janë “për t’i mirëmbajtur barrikadat”.
Ai ka thënë se ato barrikada duhet të largohen menjëherë.
“Absolutisht e pavërtetë. Shpikje të tilla, si kjo e Rakiq sot, qëllim kanë arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit, e të cilat duhet të largohen menjëherë. Ftojmë qytetarët tanë në veri të ndjekin njoftimet dhe t’i besojnë institucioneve tona dhe mos të bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten. Policia e Kosovës është aty për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë nuk ka kërkuar heqjen e barrikadave.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd, një zëri kanë kërkuar që barrikadat të largohen.
Por ato janë vendosur në rrugët e veriut dhe pos barrikadave është shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës si dhe është hedhur një shok-bomb në drejtim të patrulle të EULEX’it.