Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti thuajse çdo ditë ka ndonjë kritikë për drejtuesit e institucioneve të vendit, sidomos për Qeverinë e Kosovës dhe ndonjëherë edhe Presidenten.
E sot Hoti është marrë me çështjen e dialogut dhe atë që të shtunën 5 diplomatët perëndimorë e sollën si propozim “një plan të ri” për palët në dialog.
BE-ja të martën e ka identifikuar se mes tjerash Kosovës i është dhënë edhe një “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Deputeti Hoti ka shpërndarë një titull të një portali dhe ka ironizuar me tri fjali dhe një qeshje në fund.
Shpifje. Kurrë Albini nuk e pranon ‘zajednicën’! Nuk është tradhtar e i korruptuar, nuk i nënshtrohet asnjë presioni. Hahaha”, ka shkruar ai.
Deputeti Hoti për një kohë ka qenë edhe kryeministër i vendit, por që Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të rastit se si kishte marrë mandatin, tregoi se Qeveria Hoti mori mandatin në mënyrë antikushtetuese.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës e ka pranuar “planin e ri” bashkë me draftin për asociacion si bazë për diskutime të mëtejme.
Qeveria ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë kornizë për vazhdimin e diskutimeve, duke iu përgjigjur kështu pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.