Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur t’i rrëzojë tri ankesa të paraqitura në këtë organ. PZAP e ka hedhur të pasafatshme ankesën e kandidatit të PDK-së për deputet, Bekim Haxhiut.
Ky i fundit kishte kërkuar nga PZAP që të urdhërohet KQZ-ja të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29.12.2025 dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet e pranuara pas këtij afati.
Ndërkaq, kandidatit tjetër për deputet nga PDK, Jakup Nura i cili ka kërkuar që të urdhërohet KQZ që t’i numërojë të gjitha vendvotimet në Komunën e Skenderajt iu ka hedhur poshtë ankesa si e palejuar.
PZAP e ka hedhur të pasafatshme edhe ankesën e subjektit politik “GI Za Slobodu, Pravdu i Opstanak” lidhur me administrimin e procesit të numërimit të fletëvotimeve në QKN në Novobërdë e në Leposaviq. Kundër vendimeve të PZAP-së, parashtruesit e ankesave kanë të drejtë t’i drejtohen brenda 48 orëve Gjykatës Supreme.
Ndërkohë, PZAP e ka konsideruar të tërhequr ankesën e subjektit politik Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK).


