Në Shqipëri, një 30-vjeçar, Bledar Zeneli, nga Durrësi, u ndalua sot me urdhër të Prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) nën dyshimet për terrorizëm.
Me profesion murator, Zeneli mendohet se përdorte rrjetet sociale, duke përdour profile të ndryshme, për të propaganduar Shtetin islamik.
Sipas njoftimit nga SPAK, “ndalimi i këtij shtetasi u bë pas një hetimi intensiv dyvjeçar, te kryer me metoda speciale të hetimit nga Drejtoria e Antiterrorit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, ku dyshohej se nëpërmjet rrjeteve sociale dhe aplikacioneve te ndryshme “Facebook”, “Twitter”, “Telegram”, publikonte artikuj, materiale radikale, ekstremiste, propagandistike dhe statuse, në mbështetje të shtetit Islamik dhe kundra koalicionit global antiterrorizëm”.
Veprimtaria e dyshimtë e 30-vjeçarit është konsideruar nga Prokuroria e posaçme si pjesë e veprave penale të “Nxitjes, thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitjes së urrejtjes ose grindjeve”.
Në muajin maj të këtij viti, një tjetër person nga Kukësi, Ibrahim El Salih (Lekica) u arrestua nën të njëjtat dyshime, pasi dhe ai përdorte të njëjtat mjete duke përhapur shkrime në mbështetje të ISIS-it.