Prokurorja Drita Hajdari ka thënë se krimet e luftës, në mesin e të cilave edhe dhuna seksuale, është një barrë që e ngarkon shoqërinë në Kosovë.
Ajo bëri këtë deklartë të dielën në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizim i bërë me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani, në Prishtinë, e ku po marrin pjesë mbi 400 pjesëmarrës.
Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.
Prokurorja kosovare, Drita Hajdari gjatë fjalës së saj ka treguar edhe për vështirësitë që patën prokurorët vendorë që të merren me këto vepra penale.
“Pas luftës është fol me një dozë turpi, mirëpo në radhë të parë falë shoqërisë civile dhe institucioneve, dhuna seksuale doli nga errësira. Mirëpo, ende nuk ekzistojnë statistika të sakta për numrin e personave të dhunuar në Kosovë. Ajo që e vështirësoi punën tonë dhe që nga ngadalësoi dhe mori shumë kohë, ishte fakti se pas luftës neve prokurorëve vendorë nuk na u lejua t’i ndiqnim këto vepra penale. Këto i ishim besuar fillimisht UNMIK-u dhe EULEX-i dhe këto kanë bërë shumë pak”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka thënë se ka qenë barrë tepër e madhe për prokurorët vendorë më pas.
Hajdari ka thënë se identifikimi i fajtorëve ka qenë po ashtu shumë i vështirë.
“Identifikimi ka qenë problem shumë i madh, sepse kanë ardhur paramilitarë nga jashtë Kosovës, të panjohur për viktimën. Për ata që ishin nga Kosova ne kemi arritur të identifikojmë disa prej tyre. Njëri prej tyre është ekstradu nga Mali i Zi, për disa tjerë po presim arrestimin e tyre nga Interpoli. Mund të priten aktakuzat e para për dhunën seksuale në luftë, ku mund të fillojë edhe gjykimi në mungesë”, ka thënë mes tjerash Hajdari.


