Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të dielën në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë se përkundër të gjitha vështirësive nëpër të cilat kanë kaluar gratë në Kosovë, e kanë dëshmuar në vazhdimësi se sa të forta janë.
Ajo ka konsideruar se një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e së kaluarës është e pamundur pa përfshirjen e gruas.
“Kosova në dekadat e fundit ka kaluar nëpër procese shumë të rëndësishme të cilat kanë qenë vendimtar për pavarësimin e qëndrueshmërinë e saj si shtet. Në procesin e ballafaqimit me të kaluarën përfaqësimi i gruas dhe pjesëmarrja e saj është qenësore për arsye se kontributi i saj ka qenë dhe vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka shtuar se në ministrinë që e drejton, në të gjitha iniciativat që janë ndërmarrë dhe që lidhen me adresimin e krimeve të luftës, 60 për qind e anëtarëve janë vajza dhe gra.
“Kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm dhe sigurisht i jam falënderuese që na kanë ofruar pikëpamje të ndryshme se si duhet të adresohen çështjet që lidhen me krimet e luftës. Së fundi në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës është miratuar Instituti për Dokumentimin e krimeve të Luftës”, ka shtuar ajo.
Pas saj fjalën mori edhe deputetja ukrainase, Yevheniia Kravchuk.
Ajo ka thënë se gratë duhet të jenë më tepër prezente në tryezat ku merren vendime.
“Pajtohem plotësisht se gratë nuk duhet të jenë vetëm në tryeza për të diskutuar, por edhe në pozitat vendimmarrëse”, ka thënë Kravchuk.
Ajo ka thënë se janë mbledhur prova menjëherë për krimet e kryera nga Rusia në Ukrainë.
Prokurorja Drita Hajdari ka thënë se krimet e luftës, në mesin e të cilave edhe dhuna seksuale, është një barrë që e ngarkon shoqërinë në Kosovë.
Ajo ka treguar edhe për vështirësitë që patën prokurorët vendorë që të merren me këto vepra penale.
“Pas luftës është fol me një dozë turpi, mirëpo në radhë të parë falë shoqërisë civile dhe institucioneve, dhuna seksuale doli nga errësira. Mirëpo, ende nuk ekzistojnë statistika të sakta për numrin e personave të dhunuar në Kosovë. Ajo që e vështirësoi punën tonë dhe që nga ngadalësoi dhe mori shumë kohë, ishte fakti se pas luftës neve prokurorëve vendorë nuk na u lejua t’i ndiqnim këto vepra penale. Këto i ishim besuar fillimisht UNMIK-u dhe EULEX-i dhe këto kanë bërë shumë pak”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka thënë se ka qenë barrë tepër e madhe për prokurorët vendorë më pas.
Hajdari ka thënë se identifikimi i fajtorëve ka qenë po ashtu shumë i vështirë.
“Identifikimi ka qenë problem shumë i madh, sepse kanë ardhur paramilitarë nga jashtë Kosovës, të panjohur për viktimën. Për ata që ishin nga Kosova ne kemi arritur të identifikojmë disa prej tyre. Njëri prej tyre është ekstradu nga Mali i Zi, për disa tjerë po presim arrestimin e tyre nga Interpoli. Mund të priten aktakuzat e para për dhunën seksuale në luftë, ku mund të fillojë edhe gjykimi në mungesë”, ka thënë Hajdari.


