Prokuroria Speciale ka dërguar një ftesë të dytë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kërkesë për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili shtoi se kabineti i kryeministrit ka theksuar në përgjigjen ndaj ftesës gatishmërinë e Kurtit për t’i pritur prokurorët në zyrën e tij për intervistim.
“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, është shprehur Kryeziu për KosovaNews.
Prokuroria Speciale, në bazë të thirrjes për dëshmi të publikuar nga zëdhënësi i Qeverisë, ka paralajmëruar kryeministrin Kurti se mund të gjobitet me 250 euro për çdo mosparaqitje dhe mund të arrestohet nëse e injoron thirrjen e Prokurorisë për të dhënë dëshmi pa ofruar arsye të arsyeshme.
Numri i çështjes në ftesën e publikuar nga zyrtarët e Qeverisë përputhet me atë për rezervat shtetërore, lidhur me të cilin ishin arrestuar vitin e kaluar biznesmeni Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.


