Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori.
Sipas njoftimit, Prokuroria tha se qytetarët duhet të paraqiten me qëllim të zbardhjes së rastit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes këtij njoftimi publik, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë pësuar lëndime trupore (të dëmtuarve) në rastin e datës 4 gusht 2023, i cili rast ka ndodhur në lokalin ‘Bon Vivant’, të paraqiten në Policinë e Kosovës-Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë apo në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dhe atë brenda afatit prej 15 ditë kalendarike nga dita e publikimit të këtij njoftimi në media dhe në faqen zyrtare të Sistemit Prokurorial, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti në plotëni”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës. plotë.
Ndryshe me 5 shtator të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Andi Pajazitit, i dyshuar për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.


