Prokuroria Themelore në Pejë njofton se janë intervistuar tre persona lidhur me rastin e therjes së 25-vjeçarit në Istog.
Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi tha se një person u shoqërua në polici, e dy të tjerët dhanë deklarata pasi ishin paraqitur pas marrjes së ftesave.
“Fillimisht nuk ka qenë askush i arrestuar për këtë rast, mirëpo një person ka qenë i shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesave dhe janë paraqitur, pas marrjes së deklaratave nga hetuesit policorë janë lënë të lirë për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës”, tha Nikçi.
Ai shtoi se janë autorizuar Policia e Kosovës që përmes veprimeve hetimore të identifikojnë personin apo personat e dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale ndaj viktimës.
“Pasi të identifikohet kryesi apo kryesit e kësaj vepre, të njëjtit do arrestohen. Intensivisht është duke u punuar në këtë drejtim”, tha Nikçi.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të policisë, thuhet se lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona dhe të njëjtit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj viktima mashkull kosovar është therur me thikë nga persona të panjohur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Kurse, Spitali i Pejës njoftoi se viktima ka tetë plagë nga mjetet e mprehta.
“Mbrëmë më datë 4.01.2023 rreth orës 18:20 minuta në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë është pranuar një pacientë i therrur me mjete të mprehta. Pacienti ka pasur 8 plagë dhe atë në kokë, ekstremitete dhee pjesë tjera të trupit si dhe një gjendje të rënduar shëndetësore. . Ekipi kujdestar i prirë nga Kirugu Dr.Rifat Dreshaj ka trajtuar rastin duke bërë qepjen dhe gjithë trajtimin e nevojshëm të plagëve që fatmirësisht kanë qenë sipërfaqësore si dhe trajtimin e përgjithshëm të gjendjes shëndetësorë të pacientit”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Bëhet e ditur se pacienti aktualisht është i shtrirë në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ditët në vijim pritet edhe lirimi i tij.


