Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete. Sipas burimeve brenda hetimit, viktima është identifikuar si Xhavit Berisha, 32 vjeç, shkruan KosovaNews.
Rasti është raportuar rreth orës 13:30, kur policia është njoftuar se në një banesë në rrugën “Rifat Krasniqi” ishte gjetur pa shenja jete një person. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku familjari që kishte gjetur trupin ka konfirmuar se bëhet fjalë për 32-vjeçarin.
Ai është gjetur i vdekur në banesën e tij, ndërsa pranë trupit është gjetur edhe një armë zjarri.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e rastit. Prokurori dhe hetuesit kompetentë kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat përkatëse.
Me autorizim të prokurorit, është iniciuar procedura “Hetim i vdekjes”./KosovaNews/


