Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për trafikim me narkotikë dhe ka sekuestruar mbi 4 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të jetë kokainë, gjatë një aksioni të zhvilluar në Prizren dhe në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.
Sipas njoftimit, Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren ka arrestuar të dyshuarin H.K. (1994), ndaj të cilit janë kryer kontrolle në dy lokacione. Gjatë bastisjes në njërën prej banesave janë gjetur dhe sekuestruar: 4 kilogramë e 440 gramë substancë narkotike e llojit kokainë, dy peshore, 260 euro dhe dëshmi të tjera relevante për rastin.
Ndërkohë, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, I.H. (1968) dhe E.R. (1995). Gjatë aksionit janë konfiskuar edhe dy vetura, njëra me targa belge dhe tjetra me targa vendore.
Prokuroria ka iniciuar rastin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.


