Prishtina nis fazën e dytë të vendosjes së kamerave të sigurisë. Në së paku 40 lokacione të reja do të vendosen kamera, përfshirë edhe parqet e qytetit, ndërsa do të ketë edhe dy radarë mobilë. Aktualisht, në 55 lokacione janë 165 kamera, përmes të cilave nga janari deri në korrik janë shqiptuar rreth 4 mijë gjoba.
Kryeqyteti ka nisur fazën e dytë të vendosjes së kamerave të sigurisë. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kamerat pritet të vendosen në së paku 40 lokacione të reja, ndërsa do të vendosen edhe dy radarë mobil.
“Fillimisht kemi fillu me qender, tash do të fillojmë të zgjerohemi, do ti ikim sa më shumë qendres dhe do të dalim edhe në pjesë tjera të qytetit fazën e dytë është se do të vendosen kamerat në parkun e Germisë, dhe në parqe të tjera”, theksoi Lulzim Fushtica, drejtor për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës.
Pas një inspektimi të kryer javë më parë, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi thonë se Policia e Kosovës ka bazë ligjore për vendosjen e kamerave.
“I lejohet vendosja e kamerave, cka kemi pa aty, kemi pa qe cka rendësi me ditë se të dhanat biometrike, policia e Kosovës, nuk I përpunon të dhënat biomoetrike të qytetarëve”, tha Arbian Arifi, Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Në një përgjigje me shkrim nga zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, thuhet se aktualisht në 55 lokacione të ndryshme janë të vendosura 165 kamera, të cilat identifikojnë kundërvajtjet në trafik.
Vetëm gjatë periudhës janar-korrik 2026, përmes këtij sistemi janë evidentuar dhe shqiptuar rreth 4 mijë gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

