Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të ndërtesës së re të çerdhes në afërsi të shkollës së Gjelbër në Prishtinë.
Kurti më këtë rast ka përmendur investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovë, duke thënë se po i realizojnë zotimet.
Ai më tej ka sqaruar se çerdhja që do të ndërtohet në Prishtinë do të ketë 1 mijë e 300 metra katrorë dhe do të kushtojë mbi 700 mijë euro.
“Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin e çerdhes në Gjakovë. Sot do të vazhdojmë punime në Prizren, Suharekë, Skenderaj. Do të jem në Podujevë duke lëvizur drejt zotimeve tona”.
Lexo po ashtu:
“Çerdhja që po i fillon punimet përmban 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve. Ky investim kap vlerën 743 mijë euro. Përgëzime e urime të gjithëve”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se Qeveria ka ndarë buxhet për ndërtimin e çerdheve e shkollave të reja, duke shtuar se po punojnë për gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm.
“Qeveria jo vetëm që ka ndarë buxhetin, por edhe ka rritur buxhetin për investime në shkolla të reja dhe çerdhe. Nga komuna në komunë e fshati në fshat do të punojmë shumë në arsim”.
“Unë pres që punimet të shkojnë mbarë e mirë. Do të punojmë lidhur me gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e konsideroi fillimin e punimeve të kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, vetë bashkëpunimi i nivelit lokal me nivelin qendror jep fryte.
“Përgjegjësia jonë për ngritjen e kualitetit fillon nga fëmijëria ku i mundësojmë fëmijëve të kenë qasje e të shoqërohen me njëri-tjetrin. Është ndihmë edhe për prindërit. Po krijohen mundësi edhe më të mira”.
“Bashkëpunimi i nivelit lokal me nivelin qendror normalisht jep fryte të mirëfillta. Kemi edhe tri shkolla që planifikojmë t’i ndërtojmë. Vetëm me bashkëpunim mund të bëjmë punë të mëdha”, shtoi ai.
Lexo po ashtu: